Lyktan
S
?
Në kronikën e tji poeti Rizah Sheqiri reflekton për sfidat e kohës sonë, për vështirësitë që hasim në përditshmërinë tonë dhe për shpresën nëse ajo ende nuk na ka braktisur.
Ditët e fundit kam qenë shumë i mërzitur. Të gjitha të këqijat që po ndodhin gjithandej në botë, në një mënyrë a në një tjetër, kanë ndikuar në humorin tim. Mendoj se kjo situatë nuk ka ndikuar vetëm tek unë. Besoj se kjo situatë do të ketë ndikuar për të keq edhe tek ju bashkënjerëzit e mi.
Kudo ndjehet një krizë, mbi të gjitha është krizë në mendimet e njerëzve, por edhe në veprimet e bashkënjerëzve tanë pikërisht ndaj vetes, ndaj njerëzve të tjerë dhe ndaj gjithë njerëzimit në përgjithësi.
Kjo situatë më ka bërë të reflektoj. Këto mendime të këqija erdhën fluturim në mendjen time dhe m’i shqetësuan të gjitha mendimet e mia.
Një proverb i vjetër latin Homo homini lupus – Njeriu është ujk për njeriun (i cili, sipas Wikipedia, përkthehet edhe “Një njeri është si ujku për tjetrin”. Proverbi i referohet aftësisë së njerëzve për të vepruar në mënyrë të pamëshirëshme dhe çnjerëzore ndaj njëri-tjetrit si ujqër, dhe shpesh citohet kur u referohet prirjeve egoiste dhe të dhunëshme të njeriut). Ky proverb më erdhi në mendje dhe si një re e zezë, e zezë dhe e rëndë e mbuloi shpresën time. M’i mbuloi të gjitha rrezet e diellit dhe mendimet e mia i shndërroi në një natë të zezë pa një dritë të vetme ndokund. Trupi im dhe mendimet e mia u trazuan, ndjeva trishtim dhe dhimbje që ma therrën ndërgjegjen si thika të mprehta.
Të gjitha këto mjerime, luftëra, pushtime, vrasje, dhunë, abuzime, pikëllime, probleme, kriza, trazira, bullizma, shfrytëzime, keqtrajtime, plaçkitje, abuzime… që njerëzimi dhe bashkëqytetarët tanë po i përjetojnë sot në botën tonë, vijnë nga faktorët njerëzorë, nga bashkënjerëzit tanë të kësaj bote, pra nga vetë njerëzit ndaj njerëzve tjerë.
Po. Janë njerëzit që luftojnë me njerëzit. Janë njerëzit që vrasin ose vriten nga njerëzit. Janë njerëzit që i shtypin njerëzit. Janë njerëzit që i shfrytëzojnë njerëzit. Janë njerëzit që i përdhunojnë njerëzit. Janë vetë njerëzit ata që përdorin dhunë ndaj njerëzve. Janë njerëzit ata që i ngacmojnë njerëzit. Janë njerëzit që i shfrytëzojnë njerëzit. Janë njerëzit që abuzojnë me njerëzit. Janë njerëzit që sundojnë mbi njerëzit. Janë njerëzit që lëndojnë e i vrasin njerëzit. Janë vetë njerëzit ata që janë kaq të këqinjë ndaj njerëzve…
Po.
Janë njerëzit, që ju shkaktojnë shumë vuajtje e pikëllim njerëzve! Haptas apo fshehurazi, drejtpërdrejt apo tërthorazi, fizikisht apo psikologjikisht…
Si një formë shpjegimi banal për çdo mjerim, thuhet shpesh se jeta është e padrejtë. Por jo, jeta nuk është e padrejtë, është vetë njeriu që i bën të gjitha padrejtësitë ndaj njeriut. Dhe jeta shkaku i njeriut bëhet e padrejtë!… Thjeshtë vënia gishtin kokës dhe mendoni sikur të gjithë njerëzit të ishin të drejtë, sikur gjithë njerëzit të ndihmonin veten e tyre, njerëzit e tjerë dhe gjithë njerëzimin… Gjithëçka në këtë botë do të ishte ndryshe.
Tash teksa po i lexon këta rreshta dhe po mendon për mendimet e mia, mendo pak më thellë. Mendo vetëm këto çaste sa e sa njerëz vuajnë në një mënyrë ose në një tjetër për shkak të diçkaje që ua ka bërë vetë njeriu… Është e vështirë të mendosh, sepse ka kaq shumë vuajtje, kaq shumë mjerim e padrejtësi kudo në këtë botë.
Mendoni sikur njeriu do të pushonte me të ligat e tij që i ushtron ndaj njeriut! Mendoni sikur njeriu të pushonte me ligësitë e tij ndaj njeriut dhe njerëzimit… Eh, sikur të ndodhte një gjë e tillë!
Mendoni sa pak shqetësim, sa pak dhimbje dhe sa pak mjerim do të kishim në gjithë botën e në jetën tonë, atëherë? Mendoni sa më mirë do të ishim dhe sa më shumë kënaqësi e lumturi mund të ndjenim të gjithë së bashku? Por, fatkeqësisht njeriu vazhdon të jetë e keqja më e madhe dhe të krijojë të keqen më të madhe kundër vetes dhe kundër njerëzve të tjerë, kundër bashkënjerëzve tanë dhe kundër botës sonë
Prandaj ju bëj thirrje ta gjejmë bashkë shpresën dhe të shpresojmë. Të shpresojmë se edhe në gjithë këtë kaos të mbrapshtë njerëzorë, në botën tonë të bukur, mund të vijnë njerëz të rinj me mirësi e dashuri në shpirt në mendje e në zemër dhe do të sillen mirë ndaj njeriut, ndaj kafshëve, bimëve dhe natyrës.
Eh. Botës sonë, më shumë se çdo gjë tjetër, i mungon njeriu i mendimit të ri, njeriu me mirësi e dashuri njerëzore. Botës sonë i mungon njeriu që ka kujdes për veten e vet dhe ndaj njerëzve tjerë. Që ka respekt e kujses për jetën, për të gjithë të gjallët që jetojnë tash dhe për të gjithë ata që do të vijë pas nesh.
Njerëz dhe bashkënjerëz të mi, kam një pyetje të drejtpërdrejtë për të gjithë juve: A ka shpresë për kohë më të mira, në një botë më të mirë, me njerëz të mirë? A do të vijnë kohë të mira me njerëz më të mirë që do ta bëjnë botën tonë edhe më të mirë dhe më njerëzore!?
Unë kam shpresë. Dhe shpresoj përgjithmonë se do të lind njeriu i ri i cili do ta ringjallë shpresën.
E dimë, që pothuajse, të gjitha të këqijat njeriut i vijnë nga njeriu.
Prandaj mua më mban shpresa se do të vijnë njerëz të rinj që do të mendojnë e veprojnë më mirë e më mbarë dhe të cilët do të bëjnë vetëm vepra të mira për të gjithë; për veten e tyre, për të gjithë njerëzit, për kafshët e për bimët e botës sonë. Sa do të frymoj do të shpresoj! Edhe një proverb italian e vërteton këtë: Shpresa është e fundit që e lë njeriun. Shpresoj shumë shpresoj, që dielli i shpresës do të lindë…Këtë ma konfirmon edhe fjala e urtë suedeze që thotë: Për sa kohë ka jetë, ka shpresë.
Unë jam dakord me te.
Çfarë mendon ti?
Kohëve të fundit
shpresa më ka humbur
tutje diku
është ngatërruarEja me mua
dhe më ndihmo
për ta kërkuar
shpresënSepse pa shpresë
s’jam askushi
s’kam asgjë
s’jam asgjë
Rizah Sheqiri • 2023-09-22 Född i Kosovo men bosatt i Sverige. Författare, poet och översättare med ett femtiotal titlar bakom sig. Arbetar även som lärare.